9.8 C
Skopje

Vizita e ministrit të Kinës në Tiranë çon alarm në SHBA, çfarë thotë Zëri i Amerikës

Ministri i Jashtëm i Kinës, Vang Ji, mbërriti të enjten në Shqipëri në kuadër të një turneu vizitash të zhvilluara në Greqi e Serbi, e që do të mbyllen me takime në Itali.

Sipas zyrtarëve shqiptarë, vizita do të përqendrohet në marrëdhëniet dypalëshe. Shqipëria është pjesë e Nismës 17+1 të Kinës, një platformë që synon zgjerimin e bashkëpunimit të Kinës me vende të Europës Lindore dhe Qendrore, por që shihet me shqetësim nga ekspertët për mungesën e transparencës dhe mënyrën se si kryhen investimet kineze. Vizita e tij në Tiranë vjen edhe në prag të marrjes nga Shqipëria të një vendi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Vizita e ministrit të Jashtëm të Kinës, Vang Ji, në Tiranë, pas 10 vitesh nga vizita e fundit e një kryediplomati kinez në Shqipëri, vjen në një kohë kur Pekini ka rritur së fundmi praninë e vet në rajon, përmes financimeve shumë të mëdha në disa nga vendet e Ballkanit.

Kina ka ndërmarrë Nismën 17+1, për të zgjeruar bashkëpunimin e saj me vendet e Europës Lindore dhe Qendrore. Shqipëria, ndonëse pjesë e kësaj nisme, duket se i ka rezistuar tundimit ndaj financimeve kineze.

Ministria e Jashtme shqiptare tha se marrëdhëniet dypalëshe do të jenë në qendër të bisedimeve me zotin Ji, i cili nesër (sot) pritet të takohet me homologen e tij, Olta Xhaçka, Kryeministrin Edi Rama dhe Presidentin Ilir Meta. Sipas një njoftimi të Ministrisë së Jashtme kineze vizita synon thellimin e bashkëpunimit mes Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore.

Ky është një bashkëpunim në kuadër të Nismës 17+1, e cila në pamje të parë lë përshtypjen e një bashkëpunimi shumëpalësh, por sipas analistëve perëndimorë, ky është kryesisht një forum, përmes të cilit Kina synon të krijojë marrëveshje të veçanta dypalëshe me secilin prej këtyre vendeve. Kina po përpiqet të depërtojë me investime në infrastrukturën e Ballkanit Perëndimor, ku BEja mbetet partneri kryesor në investime dhe tregti. Ekspertët pohojnë se shumica e financimeve të Kinës në Ballkanin Perëndimor janë hua qeveritare të errëta, që nuk përmbushin standardet e BE-së mbi qëndrueshmërinë e projekteve. Për më tepër, borxhet që vendet e rajonit i detyrohen Kinës shihen me shqetësim, sepse Pekini mund t’i shndërrojë ato në një mjet ndikimi mbi rajonin.

“E vërteta është që dyshime serioze janë ngritur në fakt për financimet kineze pas eksperiencave në disa vende afrikane dhe në vende të Ballkanit, pasi vjen çasti i rifinancimit të borxhit, pra, shlyerjes së borxhit dhe detyrimeve, i kanë vënë qeveritë e këtyre vendeve përballë vështirësive të mëdha financiare. Kjo ka kërkuar një lloj rinegocimi, apo njëlloj diplomacie tjetër me autoritetet kineze. Mendoj se është më mirë disiplina e tregut se sa negociatat diplomatike”, thotë prof. Selami Xhepa, studiues i njohur i ekonomisë.

Kina nuk është një investitor i rëndësishëm në Shqipëri, por, sipas analistëve, Tirana duhet të nxjerrë mësime nga investimet problematike kineze në rajon.

Projektin e një autostrade në Malin e Zi ata e vlerësojnë se është rasti më i qartë i diplomacisë së Kinës përmes borxhit si kurth.

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Besnik Mustafaj, aktualisht President i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, thotë se pas shembujve si Mali i Zi, Shqipëria duhet të tregojë kujdes dhe profesionalizëm në bërjen e kontratave dhe t’i lexojë ato me vëmendje për të mbrojtur interesat e veta në to para se t’i miratojë.

“Ne shohim se Kina dëshiron të ndërhyjë në sektorë strategjikë, si projekte energjetike dhe infrastrukturore, por nuk ka efikasitetin e duhur. Atëherë, kjo vizitë duhet të shërbejë për të tërhequr vëmendjen se partnerë si Kina kur dëshiron të ndërhyjë në sektorë strategjikë për ne, që janë shumë të rëndësishëm për ne, për ekonominë tonë dhe për sigurinë kombëtare, atëherë duhet të tregojë efikasitet të lartë, ose të rrijë jashtë”, thotë zoti Mustafaj.

Studiuesi i ekonomisë, Xhepa, thotë se hapësirat për Shqipërinë ku ajo të kërkojë financime nuk kanë munguar kurrë. Rasti më i mirë është Procesi i Berlinit, thotë ai, por mangësitë e Shqipërisë në kapacitete institucionale për të paraqitur projekte, nuk e kanë bërë atë përfituese të financimeve të ofruara nga ajo nismë.

“Qeveritë europiane, Komisioni Europian gjatë çdo viti angazhojnë financime të bollshme për vendet e rajonit tonë si pjesë e përgatitjes për integrimin në Bashkimin Europian. Këto janë jo thjesht për fuqizim institucional të shtetit ligjor, por edhe për zhvillimin e drejtpërdrejtë ekonomik dhe infrastrukturor. Procesi i Berlinit inkurajon gjithë vendet e rajonit që të hartojnë dhe të kryejnë projekte rajonale, me dimension rajonal dhe që rrisin shkallën e integrimit midis tyre”, thotë zoti Xhepa.

Tirana zyrtare, pak kohë më parë, i bëri bllok mundësisë së investimeve kineze në rrjetin e teknologjisë 5G të Shqipërisë, duke vlerësuar se siguria dhe besueshmëria në fushën e teknologjisë janë shumë herë më të rëndësishme se sa financimet. SHBA-ja dhe Shqipëria arritën qershorin e kaluar një marrëveshje për sigurinë në rrjetet 4G dhe 5G.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe Kryeministri shqiptar, Edi Rama, nënshkruan në Bruksel një Memorandum Mirëkuptimi mbi përparësitë e përbashkëta, përfshirë angazhimin për të përdorur vetëm ofruesit e pajisjeve të besuara për rrjetet 4G dhe 5G të teknologjisë.

Ata vlerësuan besueshmërinë e lartë mes dy vendeve aleate në një fushë që, sipas tyre, nuk duhet lejuar të komprometohet nga aktorë të tretë që nganjëherë janë dashakeqë. Veç Shqipërisë, edhe Maqedonia e Veriut e Kosova kanë nënshkruar memorandume bashkëpunimi me SHBA për rrjetin 5G të teknologjisë.

Ndërsa është e pranishme në rajon, veçanërisht në Serbi, ku investimet e saj kapin 10 miliardë dollarë, Kina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Zoti Mustafaj, thekson se vizita e ministrit Ji është një rast i mirë që Shqipëria, e cila do të jetë nga Janari i vitit të ardhshëm anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të ngrejë dhe çështjen e Kosovës.

“Kina është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit në OKB dhe duhet medoemos që të flitet për Kosovën, për pranimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku Kina është një pengesë shumë e madhe. Është rasti të flitet se nuk ka asnjë përqasje midis Kosovës dhe Tajvanit, se Shqipëria njeh vetëm një Kinë. Republika e Shqipërisë, ashtu si edhe më parë edhe tani njeh vetëm një Kinë”, thotë zoti Mustafaj.

Studiuesit e diplomacisë dhe ekonomisë shqiptare janë të një mendimi se prania kineze në Shqipëri nuk vë në dyshim orientimin e saj euro-atlantik dhe aleancën strategjike të saj me SHBA-në.

Ata propozojnë më shumë kujdes në menaxhimin e sektorëve që kanë të bëjnë me orientimin euro-atlantik të Shqipërisë dhe bashkëpunimin në kuadër të NATO-s.

Shqipëria eksporton drejt Kinës minerale dhe importon pajisje teknologjike dhe produkte të tjera, shkëmbime këto në një vlerë mesatare afro gjysmë miliardë dollarë. Por kompanitë kineze kanë dështuar të bëhen pjesë në disa projekte të mëdha në infrastrukturë, energji dhe telekomunikime të Shqipërisë.

Burimi: ZËRI I AMERIKËS

TË FUNDIT

Ali Ahmeti: Përgjithmonë në zemrat tona miku jonë i madh (Foto)

Ka ndërruar jetë veterani i luftës së dytë botërore, Senatori Bob Dole. Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka shkruar në Facebook...

AlternAtivA: Kuvendi Qendror i Alternativës vendosi që partia t’i bashkohet qeverisë

Sonte u mbajt mbledhja Kuvendit Qendror të Alternativës. Para fillimit të mbledhjes, kryetari Afrim Gashi edhe një herë i kujtoi 45 viktimat e tragjedisë...

Grubi: I paharruar përjetë kujtimi për bashkëqytetarët tanë

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dha marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi, sot ka qenë i pranishëm për t'i dhënë lamtumirën e...

Ali Ahmeti: Bashkëqytetarët tanë i përcollëm me nderime të larta shtetërore

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ishte sot i pranishëm në aeroportin e Shkupit për t'iu dhënë lamtumirën e fundit bashkëqytetarëve të...

Zanetti: Ai meriton gjithçka

Zëvendës presidenti i Interit, Javier Zanetti, në intervistën e tij për ESPN , foli edhe për momentin kur Messi u afrua fuqishëm nga Nerazzurrët. “Jam...